Merr fund problematika mbi 30 vjeçare, 200 familje në Theth marrin certifikatat e pronësisë

2 July 2024, 11:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Merr fund problematika mbi 30 vjeçare, 200 familje në Theth marrin
Edi Rama në Theth

Të paktën 200 familje në Theth janë pajisur tashmë me certifikatat e tyre të pronësisë.

“Na ktheve në identitet, këto 30 vite të fundit na humbi identiteti. Kur i humb identiteti një fshati thuhet se janë të fikur. Ne u fikëm dhe u koritëm, sepse ne nuk dinim se nga vinim”, tha teksa merrte në dorë titullin e pronësisë Zef Bari, një prej banorëve të fshatit Theth.

Vetëm një muaj më parë Kryeministri Rama bëri premtimin për pajisjen e certifikatave të pronësisë, premtim që pakkush mendonte se do të përmbushej në kaq pak kohë.

Por, falë punës pa orar të hipotekës dhe Drejtorit të Zonave të Stimuluara Andi Muhametaj u bë në kohë rekord nxjerrja e 200 certifikatave.

Kjo merr akoma më shumë vlerë, kur institucioni gjendej përballë një sfide mbi 30 vjeçare, pasi zonat malore të veriut dallohen për një problematikë të veçantë.

Pjesa më e madhe e banorëve kanë qenë pa certifikate pronësisë për banesat dhe tokat e tyre, sepse në vitin 1992, ata refuzuan ligjin 7501 për ndarjen e tokës duke ruajtur kufijtë e vjetër të pronave.

Por me zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të turistëve në këto zona, në mungesë të certifikatës ata nuk kishin mundësi të zhvillonin pronën e tyre.

Për fat të mirë kjo problematikë mori fund dhe përveç marrjes së certifikatave të pronësisë, banorëve do t’u fshihen të gjitha gjobat për ndërtimet e paligjshme të bërë ndër vite./VoxNews



Video