
Një megaoperacion antidrogë është zvilluar nga policia në Bolzano të Italisë, për goditjen e një grupi të madh kriminal që trafikonte drogë mes Shqipërisë dhe Belgjikës.
Në pranga janë vënë 46 persona me kombësi të ndryshme, një pjesë e madhe e të cilëve janë shtetas shqiptarë me banim në Itali, si dhe janë sekuestruar sasi të mëdha droge me vlerë 22 milionë euro.
Autoritetet italiane raportojnë se 15 persona janë kapur në flagrancë, në orët e para të mëngjesit kur janë surprizuar nga zhurma e një helikopteri të policisë mbi banesën e tyre, ndërsa në terren janë angazhuar dhjetra oficerë të policisë.
Nga 46 të arrestuarit, 34 janë të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve janë shtetas shqiptarë, por edhe tunizianë, irakenë, anglezë dhe francezë.
Gjithashtu janë sekuestruar sasi të mëdha droge, më konkretisht 23.7 kilogram hashash, 20 kilogram kanabis dhe 20.7 kilogram kokainë.
Po ashtu janë vënë nën sekuestro 22 prona dhe 2 dyqane në Bolzano të Italisë, që besohet të jenë blerë me para të pista nga trafiku i drogës.
Gjithçka nisi me sekuestrimin e vetëm një kg kokainë nga një shtetas shqiptar në Piana Rotaliana në vitin 2019. Duke rindërtuar kontaktet e të arrestuarit, u gjurmua një grup prej 6 shqiptarësh që e futën drogën në zonë nga Shqipëria nëpërmjet rrugës ballkanike
“Nga këtu u zbuluan edhe 3 grupe të tjera të përfshira në trafik. Njëri prej tyre, i përbërë nga 16 persona të tjerë (pothuajse të gjithë shqiptarë), kishte një kanal të hapur furnizimi me Evropën Veriore (në veçanti nga Belgjika). Më e kufizuar në territorin rajonal, megjithatë, vepronin dy shoqata të tjera kriminale: një me origjinë shqiptare dhe një shtetas tunizian.
Të katër organizmat ishin të lidhur ngushtë nga miqësia dhe, ndonjëherë, edhe marrëdhëniet farefisnore. Kjo del nga përgjimet telefonike dhe mjedisore. Puna në rrugë ishte herë-herë e furishme po të kemi parasysh se për nga një shpërndarës i vetëm u zbuluan mbi 100 shitje droge. Me pak fjalë, gjithçka kthehet në mënyrë të pashmangshme atje: tek uria për drogë në territorin tonë që ushqen një përbindësh parash dhe shitjen e vdekjes”, deklarojnë autoritetet italiane.