
Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar seancën dëgjimore që po zhvillon kryeministri Edi Rama për ritkhimin e basteve sportive. Në një postim në Facebook, Lala ngre pyetjen nëse e gjithë kjo seancë dëgjimore ka të bëjë me zhdukjen e Ervis Martinajt apo jo.
Gazetarja pyet institucionin e hetimit për këtë gjë, kur ende nuk është mbushur një muaj nga zhdukja pa gjurmë e biznesmenit të lojërave të fatit.
“Institucioni i Hetimit duhet te na sqaroje nese diskutimi per bastet ka ose jo lidhje me "zhdukjen" e "mbretit" te lojerave te fatit Ervis Martinaj,”- shkruan Lala.
Kujtojmë se policia vijon të mos dalë me një version zyrtar në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt për të konfirmuar ose hedhur poshtë spekulimet në lidhje me kapjen dhe eliminimin e tij nga grupet kundërshtare.
Martinaj nuk është një figurë dosido, por për vite me radhë ka “mbretëruar” në sektorin e basteve sportive duke arritur një pasuri që mendohet të jetë deri në 600 milion euro.
Por, ndërkohë që vijon “telenovela” Martinaj, pa u mbushur ende një muaj nga zhdukja e tij ka filluar diskutimi për rihapjen e basteve sportive në vend.
Një ditë më parë u njoftua një seancë dëgjimore mes qeverisë dhe palëve të interesit në këtë sektor, siç janë federatat sportive, të interesuara për taksat që të paguhen prej kësaj veprimtarie, por edhe vetë personazhe të rendësishëm të interesuar që të jenë vetë në këtë “lojë” të madhe që qarkullon qindra milliona euro në vit.
Argumenti është se përderisa bastet po luhen në mënyrë të jashtëligjshme, atëhere hajde t’i legalizojmë në mënyrë që t’u marrim taksat!
Ky mund të duket një argument i qendrueshëm në një kohë kur arka e shtetit ka nevojë për sa më shumë para teksa vendi është përballë një krize energjetike, ndërkohë që ka raportime për “kërcime” të frikshme të Borxhit Publik, megjithatë koha kur ka nisur ky diskutim duket shumë e çuditshme.
I gjithë ky argument rri nisur edhe nga paralajmërimet e pak ditëve më parë të gazetarit investigativ Artan Hoxha, i cili tha se një ndër shkaqet që çuan në organizimin e një grupi të madh kriminal kundër Ervis Martinajt ishte pikërisht tregu i lojërave të fatit.
Kujtojmë se Ervis Martinaj, biznesmeni i lojeravë të fatit ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles.
Por, në 8 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi./VoxNews