Gjergji Mullalli, 55-vjeçari që vrau të shtunën gruan dhe e hodhi në gropën septike ka vrarë veten.
Mullalli është gjetur i vdekur nga autoritetet e policisë pranë fshatit Zëmblak të Maliqit. Ai e ka kryer vetëvrasjen në shtëpinë e kushëririt të tij.
Pranë vetes, Mullalli kishte edhe armën e krimit, një kallashnikov.
Mullalli dyshohet se e vrau bashkëshorten Luiza Mullalli, 46 vjeçe për motive xhelozie. Ata ishin në proces divorci. 55-vjeçari e ka qëlluar gruan me armën zjarri automatik disa herë në pjesën e gjoksit. Kjo ka qenë fatale për Luizën, e cila ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes.

Pasi kreu krimin, Mullalli e hodhi bashkëshorten e ndjerë në një gropë septike pranë shtëpisë së saj dhe u arratis. Policia e kërkoi gjatë gjithë natës, por nuk mundi ta gjente.
Vetëm sot u arrit të zbulohej se ai i kishte marrë jetën vetes pas krimit makabër që kreu. Deri më tani, policia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për vdekjen e 55-vjeçarit.
Trupi i viktimës vijon të jetë në morgun e Korçës ku do t’i nënshtrohet ekspertizës së thelluar mjekoligjore.
Çifti Mullalli ishte në proces divorci. Ata kanë qenë të martuar prej 25 vitesh dhe ishin prindër të 3 fëmijëve, 2 vajzave dhe 1 djali. Për shumë vite, familja Mullalli jetoi në kryeqytetin grek, Athinë.
Nëna e Luizës, Muhazez Ferati, tha për mediat pas krimit se vajza e saj ishte me urdhër mbrojtjeje nga bashkëshorti.