Në ditën e 103-të të protestës, aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh se një nga arritjet më të mëdha të kësaj rezistence ka qenë bashkimi i qytetarëve, pavarësisht prejardhjes, bindjeve apo gjendjes ekonomike.
Ajo tha se në protestë janë bashkuar të gjitha gjeneratat, të cilët, sipas saj, kanë të njëjtin shqetësim për klasën politike të korruptuar 36-vjeçare.
Vatnikaj kritikoi gjithashtu përpjekjet që janë bërë gjatë këtyre 103 ditëve për të frikësuar dhe përçarë protestuesit, ndërsa theksoi se tashmë populli “nuk e ha më sapunin për djathë”.
“Jemi këtu sepse më në fund ia kemi dalë të bëhemi bashkë dhe ta njohim armikun që na ka vjedhur, që na ka grabitur dhe që na ka dhunuar për 36 vjet”, tha ajo.
Sidorela Vatnikaj: Në 103 ditë kemi arritur një gjë shumë të madhe, ndoshta gjithçka që as e mendonim dhe as e kërkonim në fillim. Ja ia kemi dalë të vijmë këtu dhe të bëhemi bashkë, pavarësisht se vijmë nga krahina të ndryshme, nga besime të ndryshme fetare, ideologjike, nga nivele të ndryshme ekonomike, arsimore dhe, mbi të gjitha, për mua më e rëndësishmja është që ky shesh ka bërë bashkë të gjitha gjeneratat. Nga bebe të vogla deri te pensionistë, të cilët kanë të njëjtin hall, problem, dhe ajo quhet klasa e korruptuar 36-vjeçare.
Në 103 ditë, tentativat për të na shantazhuar, për të na frikësuar, për të na ndarë, përçarë dhe për të na vënë përballë njëri-tjetrit, vetëm sa janë intensifikuar. Kjo nuk do të thotë që jemi ndryshe nga se ishim në fillim dhe nuk do të thotë që kjo protestë do të mbyllet sot, spitalet u rregulluan, shkollat u rregulluan dhe se do të jetojmë në një Shqipëri të lirë, që kemi protestuar.
Prandaj, ndaj kësaj propagande që tenton të zhvendosë thelbin e problemit, nga klasa e korruptuar politike 36-vjeçare, drejt njëri-tjetrit, i themi se ne nuk e hamë më sapunin për djathë. Jemi këtu sepse i dimë problemet tona.
Jemi këtu sepse më në fund ia kemi dalë të bëhemi bashkë dhe ta njohim armikun që na ka vjedhur, që na ka grabitur dhe që na ka dhunuar për 36 vjet.
Prandaj, kur të mendoni se jeni në pikën më të ulët të besimit, kujtoni ditën e parë dhe atë që ju nxori në këtë shesh. Kujtoni spitalet ku do të shkojmë, e ku nuk do të ketë as serume, le më ilaçe për të sëmurët. Kujtoni shkollat ku do të çoni fëmijët, ku jo vetëm që s’ka nivel akademik, por është e rrezikshme edhe për jetën e tyre.