
Autoritetet policore kanë zhvilluar kontrolle në zona të ndryshme të Tiranës, në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël me qëllim goditjen e paligjshmërisë.
Operacionet konkluduan me arrestimin e 2 personave të kapur në flagrancë, njëri me një sasi kokaine dhe personi tjetër me armë të ftohtë (shufër metalike).
Sakaq, si rezultat i kontrolleve, policia ka gjobitur 34 drejtues mjetesh pasi disopononin xhama të zinj të papajisur me lejen përkatëse. Për verifikime të mëtejeshme, në komisariat janë shoqëruar në total 118 persona si dhe 87 automjete.
Ndërkohë një person është shoqëruar për në polici pasi kishte thyer masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Vijojnë kontrollet intensive në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë.
Kontrolle edhe në rrethin e Krujës.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar kokainë, armë të ftohta dhe një automjet luksoz.
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara, përfshirë edhe xhamin e përparmë, si dhe të mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe për parandalimin e goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël.
Si rezultat i kontrolleve:
* janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete;
* janë verifikuar 118 shtetas;
* janë konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, si dhe janë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që qarkullonin me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin;
* janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas për verifikime të mëtejshme;
* është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë;
* është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (shufër metalike);
* është shoqëruar një shtetas, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa u sekuestrua automjeti luksoz që përdorte.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët”, njofton policia.