Komuniteti LGBTI+ i rikthehet marshimeve në Shqipëri, del data, ora dhe vendi

4 May 2022, 14:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Komuniteti LGBTI+ i rikthehet marshimeve në Shqipëri, del data, ora

Këtë vit do të rikthehet marshimi i komunitetit LGBTI+, pas dy vitesh ndërprerjeje për shkak të pandemisë. Marshimi do të mbahet më 21 Maj, i cili fillon tek sheshi "Nënë Tereza" në orën 11:00.

Njoftimin e ka dhënë aktivistja e LGBTI+, Xheni Karaja përmes një postimi në rrjetet sociale. Marshimi do të mbahet nën moton "Ne jemi familja".

Fillimisht komunitetit LGBTI+ do të mblidhet tek sheshi Nënë Tereza" për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, Kuvendit të Shqipërisë, përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", urës së vogël në Bllok dhe do të mbyllet sërish tek sheshi "Nënë Tereza" ku do të mbahet një koncert me disa artistë të njohur shqiptarë.

Postimi i plotë i Xheni Karaj:

TIRANA PRIDE 2022

NE JEMI FAMILJE!

Dy vite pas pandemisë, Marshimi i Krenarisë (TIRANA PRIDE 2022) rikthehet në jetën publike, për të kremtuar diversitetin, dashurinë, solidaritetin dhe përkatësisë, ndaj komunitetit dhe familjes.

Me moton “Ne jemi familje!”, të gjitha organizatat LGBTIQ+ së bashku me aleatët tanë, po organizojmë Javën e Krenarisë, e cila kulmon me Marshimin e Krenarisë - aktiviteti thelbësor i kësaj jave.
Në 21 Maj, duke filluar nga ora 11:00, Sheshi Nënë Tereza.

“Ne jemi familje” - përçon mesazhin e dashurisë dhe ngrohtësisë familjare. Ai rreket të ndërgjegjësojë mbi rëndësinë e familjes dhe diversitetit të saj.

“Ne jemi familje” - sepse komuniteti ynë ndër vite është treguar bashkëpunues dhe solidar, duke i ofruar mbështetje njëri-tjetrit. Familja jonë mbështetet te dashuria, respekti dhe pranimi i njëri-tjetrit pa kushte.

“Ne jemi familje” - sepse familjet LGBTIQ+ janë pjesë e padiskutueshme e familjeve. Familjet tona ekzistojnë! Ato janë pjesë e shoqërisë sonë. Ato ushqehen nga dashuria dhe përkushtimi për njëri-tjetrin, pavarësisht sfidave, diskriminimit dhe sakrificave.

Bashkohemi në solidaritet me çdo familje në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, bullizmit, shtypjes, seksizmit, abortit selektiv, presionit psikologjik, dhunës ekonomike dhe çdo forme tjetër të saj.

“Ne jemi familje” - sepse familjet duhet të jenë të sigurta, përkrahëse dhe pranuese për çdo person! Familja duhet të jetë sinonim i pranimit, i dashurisë pa kushte dhe mirëqenies. Ato duhet të jenë një mjedis ku të gjithë mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Për këto arsye dhe për shumë të tjera, të shtunën e 21 majit marshojmë në rrugët e Tiranës me ngjyra, për të protestuar kundër shtypjes dhe pabarazive dhe mbi të gjitha për të festuar dashurinë.
Të presim edhe ty, sepse dashuria na përket të gjithëve! Eja, sepse diversiteti është vlerë e shtuar e shoqërisë! Eja, sepse ne jemi familje!

Itinerari:
Ora 11:00- Mblidhemi te sheshi Nënë Tereza për të marshuar drejt Kryeministrisë - Kuvendit, përgjatë Bulevardit, Parkut Rinia, urës së vogël në Bllok dhe për ta mbyllur marshimin sërish te sheshi Nënë Tereza, ku do të mbahet një koncert me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të disa prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar.


Video