Kush do e bindë Turqinë që të ekstradojë Dritan Rexhepin!

10 November 2023, 11:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush do e bindë Turqinë që të ekstradojë Dritan
Dritan Rexhepi

Teksa Dritan Rexhepi u arrestua në Stamboll, pasi ishte në kërkim ndërsa ishte personazh i vendosur në ‘kodin e kuq’ ndërkombëtarisht, do të duhet të japë llogari për disa krime me 4 shtete.

I shumëkërkuari në Shqipëri, Rexhepi ishte i shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës dhe trafik droge.

Kërkohet edhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe për trafikun e kokainës.

Kush do e bindë Turqinë që të ekstradojë Dritan
Kartela e INTERPOL

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

I shtrirë përtokë gjatë arrestimit, bosit të drogës iu gjetën edhe shuma eurosh dhe bizhuteri floriri dhe ora të shtrenjta.

Në Belgjikë, Holandë, Mbretëri e Bashkuar dhe në vendet e Amerikës Latine njihet si kreu i një prej grupeve të rrezikshme të trafikut të kokainës drejt Europës.

Kush është Dritan Rexhepi?

Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu. 

Dritan Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës. Babai i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba-këmbës.

Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.

Sipas hetimeve, Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste Rexhepit e Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Dritan Rexhepi i ka hyrë botës së krimit në një moshë të re. Ai u arrestua disa vite më parë pasi kërcënonte një nga prokurorët e asaj kohe, pasi po hetohej për dy vrasje në Krujë.

Ai nuk konsiderohej kaq i rrezikshëm por ishte një student i Juridikut, i ardhur nga Vlora. Pasi u arratis nga paraburgimi, ai do të shndërrohej si një ndër personazhet e botës së krimit. Ai është regjistruar me emër të rremë në Ekuador.

Ai u dënua nga Ekuadori dhe u lirua më kusht. Po ashtu ai kërkohet dhe nga Italia për një seri krimesh dhe të ashtuquajturën kompania Bello. Ndërsa Turqia e akuzon për posedim të pasaportës false.


Video