
"Kjo është mundësia e fundit për zbardhjen e 21 Janarit" Kështu e ka konsideruar gazetari Artan Hoxha rinisjen e hetimeve për ngjarjen tragjike të 12 viteve më parë, ku u vranë 4 protestues para Kryeministrisë.
Pas dëshmisë së dhënë Policinë e Tiranës mbi audio-regjistrimin e publikuar të premten e kaluar në emisionin "Zona Zero" në Top News, gazetari ka dhënë një prononcim për mediat ku tha se ka dhënë të gjithë informacionin që ka në dispozicion dhe se si e ka siguruar këtë provë të re.
Artan Hoxha deklaroi se këtë çështje duhet ta hetojë SPAK, duke qenë se dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit të asaj kohe.
"Ajo që unë do kërkoja në të vërtetë është që kjo çështje të hetohet nga SPAK. Kjo ka të bëjë me mundësitë që ka SPAK. Është një krim shtetëror ku janë përfshirë figurat më të larta të shtetit. Duhen pyetur figurat më të larta të shtetit atëherë dhe sot. Sigurisht që në lidhje me këtë ngjarje, nuk janë pyetur në atë kohë as Berisha, as Presidenti Topi, as ish-ministri Basha. Nuk është pyetur as shefi i opozitës në atë kohë, Edi Rama.
Kjo është mundësia e fundit për mendimin tim për ta zbardhur 21 janarin. Ka kaluar shumë kohë, tani kemi një strukturë të re në deispozicion., Koha nuk është më siç ka qenë. Nuk jemi më në presion. Është momenti i duhur. Nëse do kalojë ky moment, do jetë vonë për t’i dhënë përgjigje familjarëve të viktimave. Kush i ka vrarë familjarët e tyre? Janë vrarë në një protestë. Asnjë prej tyre s’ka qenë në perimetrin e Kryeministrisë. Madje dy prej tyre kanë qenë larg.
E gjithë kjo mundësi që i jepet prokurorisë, duhet ta shfrytëzojnbë këtë gjë. Është një ngjarje e cila do të ketë, ka ngelur në histori. Katër të vrarë, ngjan me 2 prillin e 1991. Unë deklarova informacionin që disponoj në lidhje me këtë çështje. U dhashë informacionin për çfrarë bëhet fjalë, si është disponuar ky material.
Më vjen çudi që ky material s’ka qenë në dosjen që është hetuar. Hetimi do vazhdoj. Jam i disponueshëm edhe nëse më thërrasin. A vlen si indicia, kjo është një çështje që duhet ta vlerësojë prokuroria. Ajo që kemi bërë bashkë me familjarët e Aleks Nikës, është një shërbim që duhet ta kishte bërë tjetër kush." tha gazetari.
Artan Hoxha komentoi edhe deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha ditën e sotme i cili e konsideroi si falsifikim audio-përgjimin e publikuar nga gazetari i kronikës.
"Nuk më zhgënjeu Berisha në deklaratën që bëri sot, por më zhgënjeu tek pjesa e imagjinatës. Nuk është aq kreativ sac ka qenë më parë. Ta katandisesh këtë gjë tek Ardi Veliu më duket një mungese e madhe frymëzimi. Besoj që kjo ka ardhur nga shqetësimi që ka nga dalja e këtij elementi të ri. Por ai ka një të drejtë që vazhdon të marrë përsipër autorësinë e atyre që kanë ndodhur më 21 janar dhe vazhdon të mbrojë ata që kanë bërë vrasje më 21 janar. Ka një të drejtë sepse asnjëherë deri më tani nuk është përballur me drejtësinë për këtë cështje." deklaroi gazetari.
Kujtojmë se bëhet fjalë për një audioregjistrim në radio mes ish-kreut të Gardës në atë kohë Ndrea Prendi dhe vartësve të tij, ku dukej qartë se urdhri për vrasje ishte dhënë nga lart. Prokuroria nisi hetimet dhe gazetari iu përgjigj pozitivisht ftesës për të dëshmuar.