Një 41-vjeçar që vidhte pompat e ujit nga banesat në Sarandë është vënë në prangat e policisë.
Elbasanlliu është arrestuar në flagrancë, teksa i janë gjetur edhe disa pompa uji që kishte çmontuar nga pallatet.
Ndërsa në Vlorë, policia thotë se ka proceduar një berber, i cili ushtronte aktivitetin pa licencë.
Njoftimi i Policisë:
Vidhte pompat e ujit, në katet e para të pallateve, identifikohet dhe arrestohet 41-vjeçari, me precedent të theksuar penal, për vjedhje.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, për kallëzimet e disa qytetarëve, se iu ishin vjedhur pompat e ujit, në pallatet ku banonin, është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi O. B., 41 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, i cili ishte dënuar dhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, ka vjedhur në mënyrë të përsëritur, pompat e ujit, në katet e para të pallateve të ndryshme, në Sarandë.
Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. S., 51 vjeç, pasi ushtronte një aktivitet ekonomik (berber), pa u regjistruar në organet tatimore, si dhe sepse kishte zënë trotuarin përpara subjektit, me tavolina dhe karrige.