“Ishe lobues kryesor për Gjykatën Speciale”, Rama reagon ndaj deklaratës së VetëVendosjes!

16 October 2025, 09:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Ishe lobues kryesor për Gjykatën Speciale”, Rama reagon
Albin Kurti/ Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kritikave të PARTISË së Albin Kurtit, në lidhje me qëndrimin e Ramës disa vite më parë për ngritjen e Gjykatës Speciale.

“Lëvizja më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vitesh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kudo dhe kurdo që ka qenë rasti,” u shkruan Rama.

Rama gjithashtu kritikoi qëndrimet e kaluara të Vetëvendosjes ndaj figurës së Hashim Thaçit, duke nënvizuar se “atëherë Lëvizja nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.

Sa i përket protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Rama sqaroi se nuk është as organizator dhe as folës, por e mbështet me gjithë zemër.

Reagimi i Ramës:

Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale…

Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.

Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.


Video