"Ik këput qafën”/ Protesta e opozitës para Kuvendit shkakton përplasje mes Gardës dhe Policisë

17 October 2024, 13:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Ik këput qafën”/ Protesta e opozitës para Kuvendit
Protesta e opozitës para Kuvendit shkakton përplasje mes Gardës dhe Policisë

Gjatë protestës së deputetëve të opozitës përpara Kuvendit ka pasur një mosmarrëveshje me tone të lartë mes drejtuesve të Gardës dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë që u zhvendosën në Parlament me lëvizjen e protestuesve përpara bashkisë.

Sakaq, kreu i Gardës, Ermal Onuzi ka pasur një përplasje me vartësit e tij, duke i kërkuar llogari se përse i hapën derën efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. 

"Ik këput qafën”, mësohet se i ka thënë Onuzi vartësve të tij. Më pas, pranë kreut të Gardës ka shkuar, deputeti Flamur Noka, i cili i ka kërkuar që punonjësin ta heqë nga puna dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta ndëshkuar.

"Do ta heqësh nga puna dhe do ta çosh për ndjekje penale", i thotë Noka, ndërsa Onuzi i përgjigjet me: “Në rregull!”

Gjatë protestës ka patur një moment të tensionuar kur deputeti Luan Baçi pretendon se një efektiv me skafandër i nxori pistoletën, kur një drejtues i Gardës ka dalë përpara policëve dhe iu ka kërkuar të largohen me tone të larta.

Pas disa momentesh forcat e FNSH u larguan dhe situata u qetësua.

I paqartë mbetet shkaku përse efektivët e ndërhyrjes së shpejtë u lejuan nga gardistët që të futeshin në pjesën e brendshme të oborrit të Kuvendit, ku sigurinë në këtë perimetër e garanton Garda.

 

 


Video