Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë autorët e vendosjes së një sasie lënde plasëse në një banesë në Vorë.
Mësohet se në pranga është vënë shtetasi Oltion Çeça ndërsa në kërkim është shpallur autori Ajet Doku.
Po ashtu, në kuadër të këtij operacioni janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy persona në Fushë-Krujë dhe Fushë-Prezë, pasi në banesë janë gjetur municione dhe rrobat që dyshohet se janë veshur nga autorët e ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale e Kërkimin dhe Forca e Posaçme "Shqiponja" finalizuan operacionin e koduar "London".
U vu në pranga shtetasi O. Ç., 27 vjeç, dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit A. D., 27 vjeç, të cilët dyshohet se kanë vënë lëndë plasëse në banesën e shtetasit E. A.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit P. S., banues në Fushë Krujë, dhe A. C., banues në Fushë-Prezë.
Policia, në kontrollet e banesave të këtyre të fundit, gjeti sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshje që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, një automjet dhe 5 celuarë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.