Një 31-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin Lezhë-Shëngjin, në afërsi të lapidarit.
Sipas informacioneve paraprake të gazetarit Martin Marku, i riu, shtetasi me inicialet K.G., banues në Shëngjin, duke drejtuar një automjet tip “Audi”, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur fillimisht me një mur rrethues, e më pas me dy automjete të parkuara pranë rrugës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 31-vjeçari ka pësuar fraktura të shumta.
Pasi mori ndihmën e parë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat kryen veprimet hetimore dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Dyshimet paraprake janë se aksidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë, e cila ka bërë që drejtuesi i mjetit të humbë kontrollin.