Arrest me burg ka caktuar Gjykata e Posaçme për Dritan Stokën, specialistin e Kadastrës të arrestuar një ditë më parë, ndërsa ka lehtësuar masën e sigurisë për tre të arrestuarit e tjerë, duke i lënë arrest shtëpie ose detyrim paraqitjeje.
Konkretisht, Gjykata e Posaçme liroi nga qelia kryeplakun e lagjes se re në Sauk Agim Osmanin, ndaj të cilit u caktua masa e “Arrestit të shtëpisë”. Alqi Hajdini ish-jurist i Kadastrës, dhe sekseri Ylli Baruti do të hetohen me masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Dritan Stoka dhe Agim Osmani dyshohen për të njëjtat vepra penale.
SPAK i akuzon ata, se kanë kryer në bashkëpunim veprën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Sipas SPAK, Stoka dhe bashkëpunëtorët e tij u premtonin qytetarëve, kryesisht të zonës së Saukut, legalizim të banesave në këmbim të votave për Partinë Socialiste.
Por kush është Dritan Stoka?
Dritan Stoka ka një histori jetë të vështirë. Me origjinë nga Lushnja, ai është rritur jetim. Stoka i ka njohur prindërit vetëm pas 35 vitesh. Ai i njihte si emra, por nuk i kishte takuar kurrë. Të njohurit e cilësojnë si njeri shembull. Ai në fëmijëri ka qenë nxënës i dalluar, madje ka fituar disa olimpiada.
Stoka bën thuajse çdo vit bamirësi te “Qendra Stefan” dhe është nënshtetas amerikan me të drejtë votë.
Ai ka punuar pak vite në Kadastër, pasi ish-drejtori Artan Lame e largoi nga puna.
Ai njihet gjerësisht nga publiku sportdashës për analizat e tij sportive dhe sidomos për tifon e zjarrtë që ai bën për ekipin e Partizanit.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.