Gjermania ktheu kastravecat e Lushnjes me pesticide të ndaluara, AKU do i asgjësojë

24 November 2023, 18:29Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjermania ktheu kastravecat e Lushnjes me pesticide të ndaluara, AKU do i
24 ton kastravec janë sekuestruar nga AKU

Pak ditë më parë, Gjermania ktheu pas plot 24 ton kastraveca të kultivuar në Lushnje, Berat dhe Fier, për shkak të përmbajtjes së një pesticidi të ndaluar në të gjitha vendet e BE-së.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, njoftoi në atë kohë se tonelatat me kastraveca do të asgjësoheshin, megjithatë nuk sqaroi se ku ishin kultivuar dhe cilin shtet kishin si destinacion eksporti.

Nga analizat e kryera në laboratorët e Gjermanisë, ka rezultuar se kastravecat kishin përmbajtje të preparatit oksamil.

Por ndërkohë që AKU përgatitej për asgjësimin e sasisë së madhe të kastravecëve, fermerë nga Lushnja, Berati dhe Fieri kanë protestuar përpara pikës së grumbullimit. Ata pretendojnë se preparati shitet lirshëm në të gjitha farmacitë bujqësore, dhe se nuk janë njoftuar nga autoritet për ndalimin e tij.

Grumbulluesi, Lulzim Sari ka deklaruar se ky preparat ashtu si dhe 26 preparate të tjera prej tre vitesh nuk lejohet të përdoren në vendet e BE-së. Në vendin tonë nuk ka laborator që të përcaktojë mbetjet e pesticideve të ndaluara në vendet e BE-së, ndaj dhe çertifikata “fitosanitare” që shoqëron produktet shqiptare nuk ka asnjë vlerë. Ai tha se në këto kushte do t'i shlyejë detyrimet ndaj fermerëve për këto 24 tonë trangull, por nuk do të mund të vazhdojë grumbullimin.


Video