“Gener 2” filloi punimet pa leje ndërtimi, banorët e Bërxullës dalin në protestë, kërkojnë kompensim sipas tregut

18 December 2022, 13:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Gener 2” filloi punimet pa leje ndërtimi, banorët e

Banorët e fshatit Bërxull kanë dalë edhe sot në protestë, kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe firmës “Gener 2”, e cila kreu punimet për një periudhë pa leje ndërtimi.

Banorët që protestojnë prej më shumë se dy muajsh, kërkojnë që prona e tyre të kompensohet sipas çmimit të tregut, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore.

Sot ata janë edhe më të revoltuar  se sa ditët e tjera, ndërsa shprehen se se nuk do të ketë më protesta paqësore.

Protestuesit thonë se do të protestojnë para godinave të institucioneve, përfshirë edhe Ambasadën Amerikane në Tiranë.

 “Ata kanë vijuar të legalizojnë edhe lejet, por kjo nuk do të thotë që do të rrimë të heshtur”, tha një prej protestuesve.

“Nuk e ka marrë lejen e ndërtimit, do ta ndjekim edhe në rrugë ndërkombëtare, deri në gjykatën më të lartë”, thotë një prej banoreve.

“Edhe pse po shkojmë në ditën e 80 të protestës, asnjë nuk ka dhënë as edhe një përgjigje, qoftë edhe negative. Sot po godasim atë që shteti i ka dhënë një leje zhvillimore, se nuk është në përputhje me kontratën që ka, nuk ka lejen e zhvillimit, të pronësimit, se në kontratë përcaktohet shumë saktë, përderisa thotë se është kontraktor dhe sipas ligjit duhet t’ja kishte përgatitur terrenin një vit më parë, jo sot, sot kujtohen për të dhënë një leje zhvillimore”, tha kryeplaku i fshatit.

“Tani ka ngel për t’u drejtu tek Yuri Kim, ambasada amerikane, shteti na ka shit gjithandej”, tha një prej protestueseve.

“Ne do të vijojmë tek të gjitha këto institucione që të merret vesh në të gjithë botën, do të shkojmë deri në vetëflijim”, tha banori.

Kompania ‘Gener 2’ filloi punimet në aksin rrugor Thumanë – Kashar, ende pa marrë lejen e zhvillimit, pra dokumentin që do të përcaktonte kushtet zhvillimore dhe do të shërbente si bazë për lejen e ndërtimit.

Në rendin e ditës të mbledhjes se Këshillit Kombëtar të Territorit të datës 14 Dhjetor është shënuar pajisja me leje zhvillimi e kompanisë koncesionare “Gener 2”, ndërkohë që punimet kanë filluar të paktën që prej datës 20 nëntor, pa pasur asnjë dokument që i lejon kompanisë fillimin e ndërtimit të këtij aksi rrugor.

Banorët e fshatit Bërxullë prej më shumë se një muaji po protestojnë nën argumentin se firma e ndërtimit ka devijuar projektin fillestar, madje ka shkuar edhe më tej duke bllokuar kolektorët e shkarkimit, çka ka bërë që disa hektarë tokë të përmbyten.

Gjithashtu banorët shprehin shqetësimin se vlera e tokës së tyre po minimizohet dhe kompensimi që marrin nga shpronësimi është larg vlerës reale të tokës.

Kontrata koncesionare për aksin Thumanë Kashar kap shifrën e 245 milionë eurosh. Krahas kësaj, qytetarët do të paguajnë edhe taksë për kalimin me makinë në këtë aks rrugor, nga e cila është parashikuar të mblidhen mbi 1.3 miliardë euro gjatë 35 viteve të koncesionit. Ministria e Infrastrukturës ndërkohë i garanton fitimin koncesionarit me një fond prej dhjetëra milionë euro.


Video