Familjarët e dy të zhdukurve në Sarandë, Fatmir Sulovarit (Krasniqit) dhe Leonard Theodhorit i njohur si “Koçole”, kanë folur për mediat pas takimit që patën me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Vëllai i Fatmir Sulovarit, Gëzim Sulovari u shpreh se do të ndërpriten protestat pasi besojnë se hetimet janë në rrugën e duhur. Pas komunikimit me kryepolicin, Muhamet Rrumbullaku, familjarët thonë se kanë shpresë që të paktën të kërkojnë për trupat e tyre.
Ai tha më tej se vëllai i tij nuk ka pasur asnjë konflikt dhe se me të zhdukurin tjetër Leonard Thodhori, i njohur si ‘Koçolja’, ishin të njohur, por jo miq.
“Duam që të gjenden trupat dhe t’i çojmë në shtëpi. Policia na tha; do nisim shumë shpejt kërkimet. Nuk më dhanë shpresë. Më thanë se jemi në rrugë, po vijojmë hetimet. Ne ia kemi lënë në dorë Policisë së Shtetit. Jam vëllai i Fatmirit. Besoj u sqaruam me policinë. Takimi im me vëllain ishte në datën 6. Ishte takim normal. E mori një shok në telefon. S’ka pasur probleme.. Ne s’kemi pasur probleme deri në këtë pikë. S’kemi asnjë dyshim. Leonardin e ishte të njohur. Ata kanë qenë të njohur, jo shok. Unë vetë si Gëzim s’e kam njohur Leonardin. S’e di se për çfarë toke bëhet fjalë. Dëgjuam llafe njerëzisht se ata mund të ishin në Vrinë”, tha ai.
Sulovari dhe Theodhori janë zhdukur që prej 6 Prillit në Sarandë dhe dyshohet se janë rrëmbyer dhe ekzekutuar nga një grup kriminal në fshatin Vrinë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar vetëm një person. Bëhet fjalë për Sofokli Baxheri, i cili ka një aktivitet tregtar në Sarandë, që meret kryesisht me blerjen, dhënien me qira dhe shitjen e pronave të paluajtshme.
Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçari është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qira në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është gjendur dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari. Mësohet se Sofokli Baxheri ka çuar personat në ambjentet e shtëpisë në Nivicë dhe është larguar.
Burime bëjnë me dije se i riu, fillimisht përballë policisë ka filluar të flasë, por më pas është tërhequr nga bashkëpunimi, pasi i ndruhet një hakmarje të mundshme nga anëtarët e grupit kriminal, që rrëmbyen dhe vranë Fatmir Sulovarin dhe Leonard Theodhorin.
Ai ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qira një personi që jetonte jashtë shtetit. Mes tyre nuk është kryer asnjë akt-noterial, pasi sipas tij gjithçka është kryer në mënyrë verbale.
Por policia dhe prokuroria e Sarandës, janë të bindur që pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.