Familja Plaka në zi, sot ceremonia mortore për dy bashkëshortët që u vranë nga ish dhëndri

25 July 2026, 10:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Familja Plaka në zi, sot ceremonia mortore për dy

Fshati Vidhishtë i Roskovecit është zgjuar këtë mëngjes i mbuluar nga heshtja dhe dhimbja.

Në rrugicat e tij nuk dëgjohen më zërat e zakonshëm të banorëve. Të gjithë kanë marrë të njëjtin drejtim, drejt banesës së familjes Plaka, ku janë hapur dyert e mortit për dy bashkëshortët që humbën jetën në krimin e rëndë që tronditi mbarë vendin.

Mes lotëve dhe tronditjes, banorët dhe të afërmit kujtojnë dy të ndjerët si njerëz të urtë, punëtorë dhe të respektuar nga i gjithë komuniteti. Askush nuk arrin ta besojë se brenda pak minutash një familje u shkatërrua dhe një fshat i tërë u zhyt në zi.

Sot, në orën 11:00, familjarë, miq dhe qindra banorë do t’u japin lamtumirën e fundit dy bashkëshortëve në varrezat e fshatit. Një ceremoni e mbushur me dhimbje, ku lotët dhe heshtja flasin më shumë se çdo fjalë.

Ndërkohë, ceremonia mortore për autorin e ngjarjes do të zhvillohet paraditen e së dielës. Vendimi është marrë për të shmangur çdo tension mes familjeve, pasi ato jetojnë në të njëjtën zonë dhe ceremonitë zhvillohen në të njëjtat varreza.

Edhe pse kanë kaluar vetëm pak orë nga tragjedia, plagët që kjo ngjarje ka lënë në Vidhishtë duken të pashërueshme. Banorët thonë se ky mëngjes do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre, si dita kur një familje u shua dhe një fshat i tërë humbi qetësinë./top channel


Video