Partia Demokratike, përmes një kërkese, ka kërkuar që ditën e martë, 6 janar 2026 në orën 11.00, të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, që t’i hapet rrugë arrestimit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Mësohet se deputetët demokratët do të paraqiten nesër në kryesinë e Kuvendit, por mazhoranca do të refuzojë të paraqitet.
Kjo është hera e katërt që demokratët e këtij këshilli kërkojnë heqjen e imunitetit për Ballukun.
Kujtojmë se mbledhja e 19 dhjetorit 2025, pas 5 orësh debat, u mbyll pa u rënë dakord për datën e mbledhjes së radhës, ku do të diskutohet për kërkesën për heqjen e imunitetit, pasi të gjithë anëtarët e këshillit dhe pala e akuzuar të jenë njohur me materialin voluminoz me prova dhe argumenta që janë depozituar nga prokurori i çështjes.
Avokati i Balluku, i pranishëm në mbledhje, kërkoi 3 javë kohë për t’u njohur me materialin e ardhur nga SPAK-u, dhe mazhoranca, me argumentin se mbrojtjes i duhet dhënë kohë për t’u përgatitur, por të pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e kryeministrit për konfliktin e kompetencave me strukturën e posaçme, vendosën që mbledhjet të mblidhen pas 22 janarit.
Hetimet ndaj Ballukut lidhen me disa procedura infrastrukturore. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për shtatë lotet e Unazës së Madhe.
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar.
Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.