‘Ervis Martinaj i vdekur apo i gjallë’, kjo ka qenë tema e diskutimit në ditën e sotme në emisionin ‘Breaking’në Top News ku ka qenë i ftuar eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço.
Eksperti i kriminalistikës ka pohuar se 'mbreti i lojërave të fatit', Ervis Martinaj po hetohet nga dy prokurori tek njëra si i gjallë tek tjetra si i vdekur.
'Kemi dy prokurori që po hetojnë për Ervis Martinajn njëra po heton, për të vdekur kurse tjetra për të gjallë. Provat për këtë personazh nuk do zbulohen lehtë, kotrolli i djeshëm në banesën e Martinajt, ka qenë i befasishëm dhe i vonuar, tha eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço.
Kujtojmë se ditën e djeshme Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj.
Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndodnjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur. Ish-efektivi Jeton Lami është tentuar të merret në pyetje shumë herë, por nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve.
Ai u arrestua pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit.
Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet.
Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version./VoxNews