
Personi që u gjet i pajetë pranë hidrovorit të Tales në Lezhë, rezulton të jetë vrarë me armë zjarri.
Policia e Lezhës thotë se 65-vjeçari i gjetur i pajetë ishte denoncuar i zhdukur në mesditë nga e bija.
Sipas policisë, në trupin e viktimës, të identifikuar si Gjergj Tusha, janë konstatuar shenja dhune dhe një plagë e shkaktuar me armë zjarri.
“Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri”, njofton policia.
Policia e Lezhës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë në terren ndodhen edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë të njësisë Shkodër, të cilat po kryejnë kontrolle në zonë.