Një postulat i njohur i njerëzve të drejtësisë thotë se më mirë të jenë 100 të fajshëm jashtë, se 1 i pafajshëm brenda qelisë. Kur shtrohet kjo tezë sot në debatin për drejtësinë e reformuar, duhen pasur parasysh edhe histori si kjo e këtij qytetari i cili ka bërë burg dy herë, dhe më pas, në të dyja rastet ka rezultuar i pafajshëm...
Qytetari Taulant Boçi ka vuajtur dy burgime të padrejta dhe në të dyja rastet ka fituar pafajësinë. Një situatë absurde që tregon shpeshherë dhe realitetin e vrazhdë që përballen qytetarët me ngurtësinë e gjykatave.
‘Unë u dënova me prova të rreme dhe vazhdova seancat gjyqësore deri sa mora vendim në apel. U dënova 5 vite e gjysëm, por fillimisht nuk m’u mor parasysh asnjëlloj gjëje’
Këtu nis kalvari i vuajtjeve të Taulantit, që ka bërë më shumë se 4 vite burg. Një humbje e madhe kohe që kalon pas hekurave, larg fëmijëve, bashkëshortes dhe pa mundësi për të punuar e për tu bërë krah.
‘Periudha e burgut është si të jesh ditën për diell duke ecur dhe më pas bie shi. Të ndryshon gjithcka në jetë. Nuk je më ai që ke qenë. Në burg ke njerëz shumë të mirë dhe të këqinj. Ata që janë të këqinj jashtë janë të këqinj dhe brenda. Ata që janë të fortë shpirtërisht mundohen të mbijetojnë, ata që janë të dobët tjetërsohen në burg. Vuajtjet që bën atje brenda ka kosto shumë të madhe për familjen, mund të jesh me fëmijë. Nuk je pranë familje’ u shpreh Taulant Boçi, denoncues
Ironia e fatit e deshi që në momentin që Gjykata e Lartë ta rikthente për rigjykim çështjen, Taulanti të kishte dalë nga burgu. Pra, drejtësia po jepte një vendim që nuk kishte më asnjë vlerë. Taulantit iu grabitën 4 vite nga jeta dhe për këtë askush nuk mbajti përgjegjësi!
‘Kur më erdhi radha për të shkuar në Gjykatë të Lartë që pranoi gjykimin tim, unë e kisha mbyllur burgun. Gjyqtarët dhe ekspertët vërtetuan vërtetë që nuk kisha faj dhe për atë mora pafajësinë’ u shpreh Taulant Boçi, denoncues
Ndërkohë, pavarërisht dënimit të gjatë dhe të padrejtë, dëmshpërblimi që ka fituar Taulanti ishte qesharak. Llogaritjet e ditëve pas hekurave, u vlerësuan më pak se një ditë pune.
‘Nuk është se më ka vlejtur dëmshpërblimi, sepse mua nuk më kthehet asgjë pas nga dëmshpërblimi që mund të më japi shteti. Shteti më ka vlerësuar me një cmim qesharak prej 10 mijë lekësh të vjetra. A mund të mbaj dot familjen me 10 mijë lekë të vjetra unë? Se jam kryefamiljar!’ u shpreh Taulant Boçi, denoncues
Historia e Taulant Bocit është dhe më e dhimbshme se kaq, pasi ai ndalohet sërish nga ana e institucioneve të drejtësisë, me anë të një informacioni të rreme. Boci akuzohet se në makinën e mbushur me rigon kishte hashash.
‘Më mbajtën 1 vit paraburgim. Më pas prokurorja vendosi pushimin e cështjes. Të njëjtin vendim dha dhe Gjykata. Tani i kam hedhur për dëmshpërblim, besoj do të marr ndonjë 10 mijë lekë në ditë sërish’ u shpreh Taulant Boçi./ Inside Story