
Nga finalja mes Romës dhe Fejnord në Air Albania nuk përfituan vetëm hotelet, baret e restorantet që mikpritën mijëra e mijëra tifozët holandezë dhe italianë në Tiranë.
Edhe kreu i FSHF-së e shfrytëzoi këtë mundësi për të kaluar nga xhepi i federatës në xhepin familjar shuma modeste parash.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka shtroi një darkë për nder të Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin dhe të ftuarve të tjerë VIP të botës së futbollit që u gjendën në Tiranë për finalen e Conference League.
Menyja e darkës ishte e mbushur me gatime tradicionale, që nga pjatat e para të hapjes së oreksit e deri te ëmbëlsira.
Për ta ‘tradicionalizuar’ edhe më shumë këtë darkë, ka menduar Armand Duka. Presidenti i FSHF-së ka qerasur me vezët dhe verën e familjes delegacionin e UEFA-s dhe të ftuarit e tjerë në darkën e shtruar për nder të vizitës së tyre.
Më shumë se sa kostoja e tyre, vera dhe vezët e familjes Duka në këtë tryezë përforcojnë akuzat se Federata është shndërruar në një lopë që familja e mjel deri në pikën e fundit të qumështit.
