Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg avokati Radovan Çela lidhur me dosjen “Toyota Yaris”.
Çelës i ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke zbritur në 2 vite e 8 muaj.
Pak ditë më parë për këtë dosje u dënua nga GJKKO edhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka. Ky i fundit u dënua me 4 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u caktua masa përfundimtare me 2 vjet e 8 muaj heqje liri
Avokati Radovan Çela akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Sipas akuzës, Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimmarrjen e funksionarëve të drejtësisë.
Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të muajit janar, ndërkohë që u nda çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje. Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Nga katër të pandehurit, fillimisht u ndalua vetëm prokurori Zarka dhe për ketë arsye gjykimi i tij u krye veçmas. Avokati Radovan Çela u vetëdorëzua pak kohe më parë, ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë ende në arrati.
Sipas prokurorisë, u provua fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Në vitet 2019–2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris” – procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.