Kandidati i parë për kreun e SPAK, Adnand Xholi: Duhet të ecim më shpejt me konfiskimin e aseteve kriminale

11 December 2025, 09:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kandidati i parë për kreun e SPAK, Adnand Xholi: Duhet të ecim
Adnan Xholi

Ka nisur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë procesi i intervistimit të kandidatëve për kreun e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Kandidati i parë që po intervistohet është Adnan Xholi, i cili në fjalën e tij tha se Prokuroria e Posaçme ndodhet në një fazë të rëndësishme, në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Ai gjithashtu tha se është shumë e rëndësishme mbrojtja e magjistratëve prokurorë ndaj sulmeve të padrejta që i bëhen.

“Si prokuror pranë SPAK-ut e ndjej si privilegj dhe kënaqësi të aplikoj për këtë vend vakant, për shkak të plotësimit të disa kritereve. Besoj se kam aftësitë menaxheriale që duhen për këtë detyrë. Kam përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë.

Në vitin 2004, kam qenë në grupin e parë të prokurorëve që hetonin pasuritë dhe asetet. Kam mbajtur detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve Penale. Në vitin 2021 jam emëruar prokuror i SPAK. Jam autor i disa botimeve shkencore, si edhe lektor i disa lëndëve pranë universiteteve të vendit, për lëndët e së drejtës penale. Historia e SPAK lidhet me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu edhe mbrojtja e pavarësisë së institucionit.

Secili kandidat, për shkak të rezultateve që kanë arritur, janë të denjë në kandidim. Jam krenar që punoj me ta dhe do i mbështes pavarësisht votimit të sotëm. Krahas sukseseve, ka ardhur koha të vijojmë me hetime më të shpejta pasurore për konfiskimin e aseteve të krimit për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë. Falë reformës në drejtësi, SPAK është organ i decentralizuar.

Prokurori është i pavarur, drejtuesi është menaxher dhe ka si detyrë të orientojë punën, kapacitetet në dispozicion, por ka edhe në fokus arritjen e rezultateve sa më të suksesshme dhe kjo garanci duhet të ndërtohet për garantimin e interesit dhe praktikave më të mira.

Krahas sukseseve që kjo strukturë ka arritur ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtjeshme, cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetimet penale ashtu edhe me hetimet pasurore me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e asteeve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”,-tha Xholi.


Video