“Dilni jashtë po shpërthen”/ Si plasi rrjedhja e gazit te fabrika në Porto Romano, banorët e shqetësuar

26 October 2022, 13:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Dilni jashtë po shpërthen”/ Si plasi rrjedhja e gazit te

Ka folur për mediat njëri nga nxënësit e shkollës në Porto Romano, ku procesi mësimor u ndërpre për shkak të rrezikut për shpërthim, pas rrjedhjes së gazit në një cisternë në fabrikën “Gaz Power.al".

Nxënësi tha se drejtori i shkollës i tha nxënësve të marrin çantat dhe të largohen me vrap nga shkolla, ndërsa një mësues u ka thënë te dalin jashtë sepse ka shpërthim gazi.

“Ishim në orën e katërt mësimore. Erdhi një presor dhe tha dilni jashtë vajza dhe djema sepse po shpërthen gazi. Drejtori na tha merrni çanta dhe ikni me vrap, dhe ne kemi marrë çantat dhe kemi ikur se jemi trembur shumë”, tha nxënësi i shkollës.

Video e marrë nga ABC:

Një prej banorëve ka deklaruar se rrjedhja e gazit nga cisterna duket me sy të lirë, ndërsa e ka krahasuar atë me në shatërvan uji. Ai shtoi se fëmijët që ndodheshin në shkollën 9-vjeçare ‘Met Hasa’ ishin vetëm 30 metra larg nga cisterna dhe sipas tij ka qenë fati ai që ka shpëtuar banorët e zonës pasi nuk ka pasur një shkëndijë që mund të provokonte një zjarr masiv.

“Me sy të lirë shihet si rrjedh gazi, si shatërvan. Është 300 metra larg nga banesa ime, aty ku është rrjedhja është shumë afër shkollës 9-vjeçare, as 30 metra nga atje. Mori në telefon mësuesja dhe na tha të marrim fëmijët sa më shpejt nga rrjedhja e gazit.

Imagjinoni të kesh fëmijën pranë një rrjedhje gazi të tillë, si një bombë atmike, kjo është hera e tretë apo e katërt që ka shpërthime të mëdha të gazit, ka të paktën 3 muaj që ndodh kjo situatë.

Kemi protestuar por puna ka vijuar rregullisht, ka qenë fati ynë që nuk ka pasur një shkëndijë flake se mund të kishim një katastrofë të madhe ditën e sotme”, u shpreh një nga banorët.

Njoftim i policisë

Rreth orës 12:30, në Porto Romano, dyshohet se si pasojë e dëmtimit të një cisterne gazmbajtëse të një biznesi (firmë) privat, është çliruar në ajër, një sasi e vogël gazi.

Nga kjo ngjarje nuk ka shtetas të dëmtuar, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Video