Është dhunuar gazetari Adriatik Doçi pranë banesës së tij. Lajmi është bërë me dije nga televizioni ku punon gazetari Report tv.
Doçi pretendon se disas persona e kanë ndjekur nga pas dhe më pas, njëri prej tyre e ka goditur nga mbrapa me sende të forta dhe më pas autorët janë larguar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Bavaria", teksa gazetari po shkonte drejt banesës së tij, pasi kishte konsumuar një kafe.
Gazetari Adriatik Doçi pretendon se sulmi ndaj tij ka ardhur për shkak të detyrës, pasi mohon të ketë patur konflikte personale.
Ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka bërë kallëzimin në Polici.
Por, në njoftimin e saj, uniformat blu të kryeqytetit deklarojnë se gazetari Adriatik Doçi është goditur vetëm me grusht.
Njoftimi:
Kamzë/Informacion paraprak
Më datë 13.11.2022, rreth orës 12:00, në Kamzë, në rrugën "Bavaria", një shtetas ende i paidentifikuar ka goditur me grusht shtetasin Adriatik Doçi, 38 vjeç, me profesion gazetar, dhe më pas është larguar.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5., në Kamzë, kanë administruar kallzimin e bërë nga gazetari Adriatik Doçi, dhe shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në lëvizje për kontrollin e zonës me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.