
Zbardhen të tjera detaje për arrestimin e Dorian Keqit, si i përfshirë në vrasjen e Saimir Jakut.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2016, ku ish-drejtori i Tensionit të Lartë për Veriun u ekzekutua në Rrëshen.
Keqi u ndalua dje pranë Gjykatës së Lezhës, teksa drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Në momentin që i kanë marrë shenjat e gishtave u verifikua që këto shenja ndodheshin dhe tek shishja me benzinë kur u dogj Benzi i atentatorëve të Jakut.
Si u vra Saimir Jaku?
Ngjarja ndodhi në 9 shtator të vitit 2016. Jaku ishte duke pirë kafen e në një lokal në qendër të Rrëshenit, pak metra larg komisariatit. Bashkë me Jakun ishte edhe Gjergj Prenga, i cili mbeti i plagosur.
Jaku i kishte shpëtuar edhe një atentati para vrasjes. Ai ishte qëlluar me breshëri plumbash në rrugicën e lagjes së tij. Motivi dyshohet të ketë qenë hakmarrja.
Ndërkohë, autorët e maskuar qëlluan me breshëri plumbash në lokalin ku Jaku ishte, duke e lënë të vrarë në vend. Pas ekzekutimit, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe një ditë më vonë u gjet makina e djegur me të cilën dyshohet se ata lëviznin.
Siç bëri me dije sot policia, autori Dorjan Keqi e vrau Saimir Jakun për llogari të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Kush ishte Saimir Jaku?
Saimir Jaku mbante postin e Drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun e vendit ndërsa nga 1 shtatori 2016 kishte kaluar në pozicionin e shefit të Sektorit të Asistencës Teknike Skada plus GIS në Drejtorinë Qëndrore të Tensionit të Lartë në Tiranë.
Ai ishte zgjedhur anëtar i këshillit të qarkut të Lezhës nën siglën e PS, në 2015 kandidoi dhe për kreun e këshillit të qarkut të Lezhës por nuk mundi të fitojë, përballë Nikolin Kaçorrit dhe Bardhok Pulajt.