Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me arrestimin e Sokrat Vatës, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e 20-vjeçarit francez në Ksamil.
Sipas informacioneve të fundit, në automjetin ku u ndalua Vata, në momentin e arrestimit, drejtuesja ishte një shtetase e huaj, ndërsa në cilësinë e pasagjerit ndodhej një shtetas turk. Rrethanat e pranisë së dy shtetasve të huaj në automjet janë pjesë e hetimit.
Vata dyshohet se, përveçse punonte si roje plazhi në “Principotes”, ushtronte edhe detyrën e badigardit të hotelit. Roli i tij në strukturën e sigurisë së hotelit dhe lidhja me personat që ndodheshin në automjet po verifikohen nga autoritetet.
Ngjarja e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm Ksamilin, ku rreth orës 05:15, një 20-vjeçar francez u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit, përpara një lokali.
I riu, i identifikuar si Miguel Mendes, dyshohet se u godit me thikë pas një konflikti për motive të dobëta. Disa orë pas ngjarjes, policia arrestoi Sokrat Vatën, i cili dyshohet se është i përfshirë në krimin e rëndë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin e konfliktit dhe rolin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni apo lidhje me ngjarjen.