Një grua pasagjere ka humbur jetën mesditën e kësaj të marte në autostradën Fier-Lushnjë, pasi mjeti në të cilin ajo udhëtonte bashkë me vajzën e saj, është përplasur nga një mjet tjetër tip Citroen.
Përplasja ka qenë e fortë dhe mjeti BMW X6, siç shihet dhe nga pamjet, ka përfunduar në trafikndarëse.
Policia, ekipet mjekësore dhe forcat zjarrfikëse kanë shkuar me urgjencë në vendin e ngjarjes, në vendin e quajtur si Kthesa e Vajkanit, por fatkeqësisht gruaja pasagjere në fuoristradën BMW X6 ka ndërruar jetë. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë duke prerë trupin e mjetit, por sërish përplasja ka qenë fatale.
Gruaja që ka mbetur viktimë, identiteti i së cilës nuk është bërë ende me dije, udhëtonte bashkë me vajzën e saj që ishte shofere.
Në afërsi të Vajkanit, ato janë përplasur nga një mjet Citroën, që drejtohej nga një shtetas i huaj.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur dy persona, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit për ndihmën e nevojshme mjekësore.