Gjyqi ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerajt, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishajt, Indrit Taullaut e Indrit Rusit për vrasjet e vitit 2005 të Klodian Saliut dhe Vajdin Lames ka shkaktuar debate të forta mbi ekspertizën psiko-ligjore të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi.
Në seancën e sotme paraqiten si dëshmitare dy ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK.
Në ekzaminimin e vitit 2022, ekspertët në fjalë përcaktuan se Luftar Reçi është i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar.
Avokatët e të pandehurve debatuan ashpër me mjekët, duke u kujtuar se për bashkëpunëtorin ka pasur një tjetër akt ekspertimi në 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm.
Në këtë kontekst, ata kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen e tij mendore.
Viktor Imeraj mori fjalën duke iu drejtuar eksperteve në seancë: “Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe?”- tha Imeraj.
Pasi iu tërhoq vëmendje, Imeraj u gjobit me 5 mijë lekë.
Më pas fjalën e mori Emiljano Shullazi, duke iu thënë dy ekspertëve: “Si ka mundësi ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”- tha Shullazi.
I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve: “A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?”
Mjekja iu përgjigj po.
“Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoje ke keq bajamet,” tha Indrit Rusi.
Avokatët po ashtu pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga IML, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë.