Hyrja e paligjshme me gomone e emigrantëve në Angli, përmes kanalit të la Manshit, vazhdon të jetë në titujt kryesor të mediave britanike.
Së fundmi, BBC raporton se pothuajse 20% e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga Shqipëria të marra nga Këshilli i Qarkut Kent këtë vit janë zhdukur.
Autoriteti vendor ka marrë deri më datën 31 tetor 197 fëmijë shqiptarë, 39 prej të cilëve janë zhdukur. Disa prej tyre kanë mbushur 18 vjeç, ndërsa të tjerët janë nën moshë. Ecpat UK, e cila bën fushatë për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi, tha se shifrat ishin shumë shqetësuese. Këshilli tha se kishte punuar ngushtë me Zyrën e Brendshme dhe policinë për të mbrojtur fëmijët.
Shifrat e qeverisë të mbledhura nga BBC tregojnë se 44,122 njerëz kanë kaluar me varka të vogla deri më tani këtë vit, krahasuar me 28,461 që mbërritën në 2021. Kjo kontribuoi në mbipopullimin në qendrën e përpunimit Manston në Kent, e cila në një moment mbante më shumë se dyfishin e kapacitetit të saj, me rreth 4000 njerëz. Sa i përket emigrantëve shqiptarë janë 12 mijë që janë futur ilegalisht këtë vit.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi. Kreu i qeverisë i konsideroi deklaratat e Braverman si ‘britmë çmendine’ dhe ‘retorikë kriminale’.
Së fundmi është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Britanisë së Madhe dhe Francës që ka për qëllim të rrisë vigjilencën dhe të ndalojë prurjet e emigrantëve që kalojnë përmes kanalit të La Manshit për në Britaninë e Madhe. Marrëveshja parashikon një pagesë vjetore të Mbretërisë së Bashkuar për Francën për të ndihmuar policinë e kufirit në 72 milionë euro.