Bashkëshortja e gjyqtarit të shkarkuar për lidhje me krimin kërkon rikonfirmimin në KPA

20 June 2022, 22:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bashkëshortja e gjyqtarit të shkarkuar për lidhje me krimin
Gjyqtarja Rilinda Selimi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi këtë të hënë konkluzionet e Komisioneres Publike në lidhje me kërkesën për rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që la në detyrë gjyqtaren e Apelit të Vlorës, Rilinda Selimi.

Sipas Komisionerit Publik, një shumë e konsiderueshme parash dhe prona në emër të vjehrrit të gjyqtares nuk mund të justifikohen me të ardhurat e tij. Shuma që nuk justifikohet nga atë ardhurat e vjehrrit është rreth 100 mijë euro, që janë përdorur për investimin në një pikë karburanti në Vlorë dhe 10 mijë euro të kursyera nga gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj.

Rilinda Selimi është bashkëshortja e ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Ky i fundit u shkarkuar për lidhje të dyshimta dhe mosjustifikim pasurie. Megjithatë, gjyqtarja Selimi u mbroj duke deklaruar se vjehrri nuk mund të përfshihej si person i lidhur, duke deklaruar se ai nuk jetonte me bashkëshortin e saj, por me djalin tjetër të tij.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi u shkarkua më 30 korrik të 2018-s, pasi u gjet me lidhje me krimin e organizuar.

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit i cili po asiston Shqipërinë në procesin e vetingut ndërhyri në proces duke ofruar informacion të marrë nga shërbime të huaja të inteligjencës sipas të cilit gjyqtari ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për mosekstradimin në vitin 2015 drejt Italisë të shtetasit Arben Isufaj, i cili është dënuar në vendin fqinj për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Sipas ONM-së në vitet 2010-2012 subjekti ka përdorur një makinë në emër të shtetasit A.Sh, i cili është dhe shoferi i Arben Isufajt – i njohur gjithashtu si Ben Qimja. Subjekti, sipas KPK-së ka pasur kontakte të papërshtatshme me Arben Isufajn, i cilësuar si anëtar i krimit të organizuar.

Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucionit shqiptar që përpunon të dhënat sekrete të shtetit, raportoi në Komision një listë të gjatë me të dhëna që tregonin lidhjet e gjyqtarit me krimin.


Video