Kreu i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame gjatë ditë së sotme ka denoncuar një fenomen shqetësues ku është tentuar që të prodhohen dokumente pronësie fallco.
“Po bëhen disa raste të identifikuara nga ana jonë, për përpjekje për të prodhuar dokumente pronësie fallco, certifikata pronësie të manipuluara, apo për të përfshirë në dokumentacionin zyrtar egzistues dokumenta të dyshimta”- u shpreh Lame.
Lame tha se tashmë me kryerjen e shërbimeve online përmes portalit “e-albania”, kjo gjë nuk mund të realizohej sepse dokumentet e falsifikuara nuk kalonin dot në systemin elektronik. Teksa tha se raste të tilla ishin identifikuar për Drejtoritë e Tiranës, Kamzës, Fierit dhe Durrësit, ai shtoi se do të kishte denoncime në prokuroritë përkatëse për personat e përfshirë.
“Kështu që në rrjetën e sistemit elektronik, po fillojnë të ngecin lloj-lloj dokumentash të falsifikuar. Kemi identifikuar raste të tilla në disa prej Drejtorive Rajonale të Tiranës, Kamzës, Fierit dhe Durrësit. Të gjitha këto raste të identifikuara deri tani, do të denoncohen me emër dhe mbiemër në Prokuroritë përkatëse dhe, ata që i kanë kryer, do të duhet të përgjigjen për veprimet e kryera”-shtoi ai.
Më tej Lame bëri thirrje që qytetarët të tregonin kujdes kur të blinin pronat duke mos konsideruar certifikatë pronësie çdo letër që u jepej në dorë nga persona që mund të tentonin t’i mashtronin.
"Ka disa elementë sigurie në certifikatën origjinale që fillojnë nga kodi QR që mund të skanohet qoftë nga qytetari, qoftë nga noteri për tu verifikuar, të çon menjëherë në dokumentin origjinal, ka firmën e drejtorit, vulën, ka disa elementë të cilat sistemi i kap menjëherë nëse dokumenti i ofruar është i falsifikuar.
Gjej rastin që ti bëj thirrje qytetarëve të ndershëm që të tregojnë kujdes kur blejnë prona, apo kryejnë veprime me pronat e tyre. Jo çdo copë letre që merrni në dorë nga lloj lloj xhambazësh është certifikatë pronësie. Në të gjitha rastet kur duhet të bëni veprimet të tilla me pronën tuaj drejtohuni avokatit të besuar, noterit tuaj të besuar sepse ata janë personat që mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe kanë mundësi të verifikojnë çdo lloj dokumentacioni.
Mbi të gjitha aplikoni pranë zyrave të Kadastrës për të kërkuar informacion paraprak për veprimet që doni të bëni me pronën sepse informacioni që merrni nga ne është më i sigurti. Të gjitha rastet që kemi verifikuar deri tani do të denoncohen emër për emër në Prokurorinë përkatëse sepse nuk janë vetëm të Tiranës. Personat që i kanë bërë do të duhet të përgjigjen për veprimet e tyre"