EMRI / Arrestohet polici në Dibër, akuzohet për dekonspirim të aksioneve, trafik droge, emigrantësh dhe kontrabandë

11 November 2024, 20:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EMRI / Arrestohet polici në Dibër, akuzohet për dekonspirim
Arrestimi i policit

Një efektiv i Policisë së Shtetit është vënë në prangat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), me katër akuza të rënda për shpërdorim detyre.

AMP thotë se polici Albano Rustemi, aktualisht punonjës në Policinë e Dibrës, është proceduar penalisht gjatë kohës që punonte në Gjirokastër.

Ai akuzohet për dekonspirim të aksioneve të policisë, përfshirje në trafikun e drogës, trafik emigrantësh dhe kontrabandë me mallra.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit A.R., i cili kohën e rregjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për:

- dekonspirim të aksioneve të policisë;

- përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve;

- dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;

- kontrabandë me mallra të tjera.

Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.


Video