Pas një hetimi 2 vjeçar, nga AMP (Agjencia e Mbikqyrjes Policore) dhe prokuroria e Lezhës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për dy ish-punonjës të policisë së komisariatit në Lezhë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit.
Në kuadër të vendimit të gjykatës, policia ka arrestuar dhe vënë në pranga Serxhio Xhamallotin, 27-vjeç, me detyrë punonjës policie me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Lezhë si dhe ka shpallur në kërkim kolegun e tij, Klisman Nikolli, 28-vjeç, po ashtu ish-punonjës i policisë me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Lezhë. Që të dy ish-punonjësit e policisë janë larguar nga Policia e Shtetit që prej vitit të kaluar.
Klisman Nikolli nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në nëntor të vitit të kaluar u arrestua në Itali për vjedhje. Pas arrestimit në Itali, i riu u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit
Po ashtu ‘Arrest me burg’ gjykata ka caktuar edhe për dy të rinj, Klajdi Lukën, 28-vjeç dhe Eduart Çarkun, 30-vjeç, të dy të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike. Policia ka arrestuar Klajdi Lukën, ndërsa në kërkim është shpallur Eduart Çarku.
Nga ana tjetër ministri i Brendshëm Taulant Balla e sheh si provë e asaj se policia ka bashkëpunuar duke favorizuar kultivuesit e kanabisit, dhe lufta për të prishur këtë nyje ka nisur sot dhe do të vijojë.
“Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët” deklaroi Balla