Dy kinezë janë arrestuar në Rinas pasi tentuan të kalonin kufirin me pasaporta të falsifikuara.
Policia njofton se 27-vjeçari me iniciale J.Sh. dhe 52-vjeçari me iniciale Ch.Ch., në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur pasaportë të Koresë së Jugut, të cilat pas verifikimeve rezultuan të falsifikuara.
Gjatë kontrollit fizik, atyre iu janë gjetur pasaportat e tyre kineze, me të njëjtat gjeneralitete si pasaportat e falsifikuara. 4 pasaportat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
"Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim".
Sakaq në Muriqan u ndaluan dy të rinj turq që tentuan të kalojnë kufirin duke paraqitur pasaporta të dyshuara të falsifikuara.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit turq, 23 vjeç dhe, 27 vjeç, pasi në PKK Muriqan, në dalje, kanë paraqitur pasaporta të dyshuara të falsifikuara.”