Aksidenti në aksin Lezhë-Shkodër, identifikohen viktimat

2 January 2026, 09:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aksidenti në aksin Lezhë-Shkodër, identifikohen viktimat
Petrit dhe Elona Florini

Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur të përgjakura nga aksidentet, ku mëngjesin e sotëm një  aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Lezhë- Shkodër.

Nga përplasja e fortë e dy automjeteve në afërsi të fshatit Gocaj, dy persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 1 grua dhe dy fëmijët që udhëtonin me mjetin tjetër janë plagosur.

Dy viktimat janë një çift bashkëshortësh nga Puka, të cilët janë identifikuar Elona Florini 42- vjeç dhe Petrit Florini, 53- vjeç ky i fundit me detyrë efektiv policie, ndërsa gruaja me profesion mësuese.

Për nxjerrjen e trupava kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të cilët më pas u morën me ambulancë. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendgjarje për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Ky është aksidenti i dytë me viktima për këtë vit, pasi një aksident tragjik ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass”.

Nga përplasja e dy automjeteve, tre persona Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, dhe Martin Dulaj, 25 vjeç humbën jetën. E plagosur mbeti e fejuara e Dulajt, Arsida Demiri, 19 vjeçe, u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Njoftimi i policisë: 

Lezhë / Informacion paraprak/ Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.


Video