Dita e 68-të e protestës para kryeministrisë nisi me përsëritjen e kërkesave të njohura: dorëheqja e kryeministrit Rama dhe shfuqizimi i ligjeve për investimet strategjike dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura.
Njëri prej aktivistëve tha se kryeministri s’do t’i shijojë dot pushimet pasi nuk kanë ndërmend ta braktisin bulevardin.
“Sot Edi Rama kishte shpresuar se asnjë nga ne nuk do ishte këtu dhe se do shijonte pushimet i qetë. Por jo, ne kemi vendosur të mos largohemi nga Bulevardi pa u larguar Edi Rama”, tha protestuesi.
Ndërsa aktivistja Sidorela Vatnikaj ka deklaruar nga protesta e 68-të kundër qeverisë se qytetarët do të vijojnë qëndrimin në shesh, pasi kërkesat e tyre jo vetëm që nuk janë dëgjuar, por janë shtuar.
Vatnikaj tha se prej 68 ditësh shoqëria shqiptare ndodhet në protestë dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se në vend që të japë përgjigje për kërkesat e qytetarëve, ka zgjedhur t’i sulmojë ata.
Aktivistja tha se protesta, sipas saj, tashmë është kthyer në një përballje me korrupsionin, oligarkinë dhe sistemin politik.
“Sot kemi një luftë tjetër, luftën ndaj autokracisë, ndaj korrupsionit, ndaj arrogancës shtetërore, ndaj dhunës policore, ndaj oligarkisë dhe medias së shitur. Luftën për një Shqipëri të re dhe të lirë”, u shpreh aktivistja.
Ajo përsëriti edhe kërkesat kryesore të protestës, duke nisur me dorëheqjen e kryeministrit dhe kabinetit të tij.
“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë kabinetit qeveritar. Dorëheqje!”, tha Vatnikaj.
Ndër kërkesat e tjera ajo përmendi shfuqizimin e ligjeve që prekin pasuritë publike, përfshirë Paketën e Maleve, ligjin për investitorët strategjikë dhe ndryshimet për zonat e mbrojtura.
“Kjo protestë e ka bërë të qartë se kërkon një revolucion jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj të gjithë klasës politike 36-vjeçare, e cila e ka varfëruar dhe e ka përdorur shoqërinë për interesat e saj private. Ndaj dhe sot kërkojmë që mandati i kryeministrit të jetë vetëm një mandat dhe jo për gjithë jetën e tyre politike”, theksoi Vatnikaj.