Drogë me postë nga SHBA-ja/ Gjykata e lë në burg, Ilir Sefa: Nuk ishte e imja

22 March 2024, 13:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drogë me postë nga SHBA-ja/ Gjykata e lë në burg, Ilir Sefa:
Ilir Sefa

Ilir Sefa është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës për trafikim lëndësh narkotike.

Sefa u arrestua pasi u kap duke marrë një pako me drogë e mbërritur nga Shtetet e Bashkuara me postë.

27 vjeçari iu qëndroi deklarimeve të dhëna pas arrestimit duke mos dhënë shpjegime të tjera në gjykatën penale. 

“Drogën nuk e prisja unë. Më tha një djalë që e kam në lagje, me emrin Fabian të shkoja ta merrja tek posta. Nuk e dija çfarë kishte brenda”, ka pretenduar Sefa në deklarimet paraprake. 

Shtetasi Fabian L. që përmend Sefa, është shpallur në kërkim policor pasi nuk u bë e mundur kapja e tij.

Avokati i Sefës, Erjon Kullolli, kërkoi masë më të butë sigurie si arrest në shtëpi ose arrest në burg me afat, për t'i dhënë kohë prokurorisë që të provojë ose jo dijeninë e të arrestuarit mbi drogën, por kërkesa u rrëzua nga togat e zeza. 

Policia u sinjalizua nga posta ku kishte mbërritur porosia, dhe mbajti në survejim se kush do të ishte marrësi.

Droga e sekuestruar kap peshën e 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.


Video