
Nëse dikush ju ka thënë ndonjëherë se duhet të ecni 10 mijë hapa në ditë, nuk jeni të vetmit që e keni dëgjuar këtë. Por ky numër i njohur nuk vjen nga mjekësia. Ai vjen nga një reklamë e viteve ‘60 për një aparat që numëronte hapat.
Megjithatë, ekspertët thonë se ideja nuk është krejtësisht e gabuar.
Sipas Jack McNamara, ligjërues i fiziologjisë së ushtrimeve në Universitetin e Londrës Lindore, numri u zgjodh sepse ishte i rrumbullakët dhe i lehtë për t’u mbajtur mend. Ndaj u përhap shpejt, edhe pse nuk kishte asnjë provë shkencore pas tij.
Kur shkencëtarët e studiuan më vonë, doli se ecja është vërtet e dobishme. Ajo i bën mirë zemrës dhe frymëmarrjes, ul rrezikun për disa lloje kanceri dhe e shkurton kohën që kalojmë ulur, e cila, kur zgjat shumë, është e dëmshme për shëndetin, shkruan The Guardian.
Por përfitimet që vijnë nga ecja nuk rriten pafundësisht. Ndryshimi më i madh ndihet kur dikush që ecën shumë pak, rreth 2 mijë hapa në ditë, kalon në 4 mijë. Kalimi nga 8 mijë në 10 mijë, apo nga 10 mijë në 12 mijë, sjell më pak dobi nga sa mendojnë shumë njerëz.
Kjo nuk do të thotë që duhet të rrimë më shumë ulur. Nëse ju pëlqen të ecni, ecni sa të doni, thotë McNamara. Problemi lind kur i ndiqni hapat vetëm për hir të numrit dhe e fajësoni veten kur nuk i arrini.
Për ata që ecin tashmë mjaft, ai sugjeron të zëvendësojnë një pjesë të ecjes me diçka më intensive, si vrapimi, noti i shpejtë, ecja në të përpjetë apo ecja me hap të shpejtë. Çdo aktivitet që të bën të marrësh frymë më shpejt dhe të rrit rrahjet e zemrës sjell më shumë përfitime për shëndetin.