Ndahet nga jeta në moshën 39-vjeçare ish-mbrojtësi i Premier League

1 September 2024, 11:17Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndahet nga jeta në moshën 39-vjeçare ish-mbrojtësi i
Sol Bamba

Sol Bamba, ish-mbrojtësi i Premier League është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare. Bamba njihej si një nga djemtë e mirë të futbollit dhe luajti për Leeds United, Middlesbrough, Cardiff City, Leicester dhe Trabzonspor.

Ai mposhti limfomën jo-Hodgkin në vitin 2021 kur luante me Cardiff.

Bamba pasi vari këpucët në gozhdë nisi të punonte në klubin turk Adanaspor, të cilët edhe njoftuan lajmin për vdekjen e tij.

“Drejtori ynë teknik Souleymane Bamba, i cili u sëmur para ndeshjes kundër Manisa Football Club dje, u dërgua në Spitalin Universitar Manisa Celal Bayar dhe fatkeqësisht humbi betejën e tij për jetën atje. Ngushëllimet tona për familjen e tij dhe komunitetin tonë”, shkroi Adanaspor.

Pas vdekjes së tij, klubi nga Uellsi e cilësoi Bamba si një legjendë. "Si lojtar dhe trajner, ndikimi i Sol në klubin tonë të futbollit ishte i pamatshëm. Ai ishte një hero për të gjithë ne, një lider në çdo dhomë zhveshjeje dhe një zotëri i vërtetë. Mendimet tona janë me miqtë e tij, familjen dhe të gjithë me fat që e njohin dhe e duan Sol”, thuhet në reagimin e Cardiff City.

Për ish-kapitetin e tyre reagoi edhe klubi i Leeds United duke thënë se janë të shkatërruar nga lajmi i kobshëm i ndarjes së tij nga jeta.

"Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij në këtë kohë tragjike. Pusho në paqe Sol, do të jesh përgjithmonë në zemrat tona."

Bamba ka lindur në Francë, por zgjodhi të përfaqësojë në nivelin ndërkombëtar, Bregun e Fildishtë, duke veshur 46 herë fanellën e vendit të lindjes së prindërve të tij.


Video