
Barazim pa gola dueli përmbyllës në Serinë A për javën e 31-të ku Milani zhgënjeu përpara tifozëve pasi nuk arriti të thyente Bolonjën.
Në “San Siro”, Milani ishte thirrur për të vijuar ecurinë pozitive prej 3 fitoreve radhazi dhe një betejë e vërtetë u zhvillua ndaj Bolonjës. Këta të fundit pa Mihajloviç në stol vunë në vështirësi të kuqezinjtë teksa pjesa e parë ishte e luftuar dhe të dyja ekipet mund të shënonin.
Pjesa e dyte rrit presionin te Milani dhe Leao merr përsipër shumicën e rasteve të krijuara, por nuk tregohet i saktë. Në 70’, Pioli hedh në fushë kartën Zlatan Ibrahimoviç. Në minutat e fundit, Tomori me kokë jep drithërima me topin që kalon ngjitur me traversën por në fund një zhgënjim i madh pasi rezultat mbetet 0-0.
Një barazim që lë Milanin në krye me 67 pikë, një më shumë se Napoli dhe 4 më shumë se Interi por këta të fundit kanë një ndeshje më pak pikërisht ndaj Bolonjës për ta luajtur.