“Bojkoti ndaj sportit rus”, mediat e Moskës: Shqipëria nuk do luajë me Rusinë

28 February 2022, 11:21Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Bojkoti ndaj sportit rus”, mediat e Moskës: Shqipëria nuk

Rusia Today shkruan se zyrtarët shqiptarë kanë thënë se kombi i tyre nuk do të konkurrojë kundër Rusisë në asnjë formë sporti, një lëvizje e dukshme për shkak të ndeshjeve të Ligës së Kombeve të UEFA-s të planifikuar mes dy vendeve më vonë këtë vit.

“Shqipëria nuk do të marrë pjesë në asnjë lojë sportive me Federatën Ruse deri në fund të okupimit të Ukrainës”, tha në fundjavë ministrja e Jashtme Olta Xhacka, sipas AP.

Rusia dhe Shqipëria janë në të njëjtin grup për edicionin e ardhshëm të turneut të UEFA Nations League. Dyshja do të takohen në Tiranë më 2 qershor, ndërsa ndeshjen e kthimit më 13 qershor.

Kombet e tjera të shortuara në Grupin 2 të Ligës B së bashku me Rusinë dhe Shqipërinë janë Islanda dhe Izraeli, asnjëri prej të cilëve nuk e ka deklaruar ende zyrtarisht qëndrimin e tyre.

UEFA ka njoftuar tashmë se ekipet ruse në nivel klubesh dhe ndërkombëtare duhet të luajnë ndeshjet në shtëpi në vende neutrale në çdo garë të drejtuar nga organizata.

Organi qeverisës i futbollit evropian i ka hequr Rusisë edhe finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2022, e cila ishte planifikuar për në Shën Petersburg në maj. FIFA njoftoi të dielën se skuadrat ruse do të detyrohen të luajnë nën emrin e Unionit Rus të Futbollit (RFU) dhe se flamuri dhe himni kombëtar do të ndalohen.

Ndeshjet në shtëpi ku përfshihet Rusia gjithashtu duhet të zhvillohen në vende neutrale dhe pa tifozë, shtoi FIFA.  Sidoqoftë, organizata deri më tani i ka rezistuar thirrjeve për të hequr skuadrat ruse nga garat ndërkombëtare, duke përfshirë ndeshjet vendimtare të play-off të Kupës së Botës 2022 të planifikuara për në mars.

Polonia tashmë ka refuzuar të luajë ndeshjen e saj kualifikuese kundër Rusisë, e cila ishte planifikuar për Moskën më 24 mars, dhe rivalët e mundshëm Suedia dhe Republika Çeke kanë mbajtur një qëndrim të ngjashëm. FA angleze tha të dielën se nuk do të luante më ndeshje kundër ekipeve ruse në dritën e operacionit ushtarak në Ukrainë./Marrë nga RT përktheu VoxNEWS.al.


Video