
Kryeministri Edi Rama kritikoi protestuesit e dhunshëm, duke pyetur se si mund të jenë ata zëri i së ardhmes, kur djegin e shkatërrojnë. Rama tha se kostoja e jetesës nuk ulet duke djegur makina e sulmuar biznese, ndërsa theksoi se nga taksat e kullave ndërtohen shkolla dhe banesa sociale.
Pashë dje një vajzë nën uniformë, e cila ruante shtetin në bulevard. Kishte përballë një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami, edhe me kufje në vesh, që i drejtohej vajzës nën uniformë me një fjalor rrugaçëror prej burrash të dehur. Një nga simbolet e protestës.
Si mund të jemi ne, si mund të jetë shoqëria shqiptare sot e gatshme ta justifikojë, e jo më ta tolerojë, këtë flamë vulgariteti?
E dinë mirë drejtuesit këtu se çfarë lexojnë në ato rrjetet e tyre të brendshme, se çfarë gjuhe: "Hajde sot do djegim gjithë pemët e Tiranës. Hajde sot do shkatërrojmë gjithë makinat e Tiranës".
Si mund të jenë këta zëri i së ardhmes? Si mund të jenë këta thirrja e diçkaje të re?
Këta ulin koston e jetesës? E dimë të gjithë shumë mirë dhe besojeni që e dimë, po aq sa dini ju, edhe pse ju e keni në të përditshmen tuaj më shumë sesa unë, peshën e kostos së jetesës.
Po do të ulet kostoja e jetesës duke djegur e duke shkatërruar? Do të vijnë paga më të mira duke thyer banka e duke djegur makina? Do të ketë strehim më të përballueshëm duke sulmuar bizneset dhe duke sulmuar kullat?
"Hajde të shkojmë", thoshin, "të shkatërrojmë edhe dje kokën e Edi Ramës atje", se e kanë bërë edhe kokën time atë godinën atje.
Po e dinë, nuk e dinë se sa taksa paguhen për ta ndërtuar atë godinë? E dinë? Jo, nuk e dinë.
Që me taksat e asaj godine dhe me përqindjen që nga ajo godinë del për strehim, ndërtohen pesë shkolla të reja. Pesë shkolla të reja ndërtohen!
Janë 3 milionë euro taksa dhe 3% shkon për strehim, që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social.
Si dalin taksat? Nga dalin? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë? Shkolla, rrugë, trotuare, semaforë, pemë që mbillen dhe të gjitha, të gjitha me radhë.