
Një grup prej 141 pedagogësh kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare, duke dënuar përdorimin e forcës nga policia ndaj studentëve gjatë protestave antiqeveritare që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Në një deklaratë të përbashkët, pedagogët shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestave.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare”, thuhet në deklaratë.
Sipas pedagogëve, një qeveri e tillë duhet të garantojë stabilitetin institucional, qetësimin e tensioneve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Nënshkruesit u kërkuan gjithashtu punonjësve të policisë të ndërpresin dhunën ndaj studentëve dhe të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm, duke paralajmëruar se përgjegjësia për veprime të tilla është individuale.
“Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju”, paralajmëruan pedagogët.
Deklarata u drejtohet edhe përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave u kërkohet të reagojnë publikisht për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Ndërkohë, pedagogët u bënë thirrje protestuesve të shmangin dëmtimin e bizneseve dhe pronës publike e private, duke argumentuar se aktet e dhunës mund të përdoren nga qeveria për të justifikuar ndërhyrjet policore dhe për të delegjitimuar protestën.
Në një apel drejtuar qytetarëve të Tiranës, nënshkruesit sollën në vëmendje lëvizjen studentore të vitit 1991, duke kërkuar solidaritet më të gjerë me të rinjtë.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që, njësoj si në 1991, t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre”, thuhet në deklaratë.
“Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”, përfundon apeli.
Deklarata vjen në ditën e gjashtë të protestave studentore dhe qytetare, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme, qindra të lënduar dhe përdorim të gazit lotsjellës, autobotëve të ujit dhe plumbave të gomës nga policia.
Kryeministri Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje, duke deklaruar se protestat po shfrytëzohen nga kundërshtarët politikë dhe faktorë të huaj për të destabilizuar vendin dhe për të penguar procesin e integrimit europian. (BIRN)