
Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim zyrtar për shtyp lidhur me incidentin e shënuar pranë selisë qendrore të Partisë Demokratike, ku forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës gjatë veprimeve për shpërndarjen e protestuesve.
Përmes kësaj deklarate, autoritetet e policisë sqaruan se ndërhyrja erdhi si pasojë e sulmeve të drejtpërdrejta me mjete djegëse ndaj efektivëve nga ana e një grupi protestuesish të cilët u përpoqën t’i shmangeshin identifikimit dhe kapjes.
“Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar.
Sipas policisë, përdorimi i lëndës Lotsjellëse ishte një reagim i menjëhershëm ndaj rrezikut të shkaktuar nga lënda djegëse e përdorur nga protestuesit, duke theksuar se “shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës”.
Në përmbyllje të reagimit, Policia e Shtetit hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga përfaqësuesit e opozitës lidhur me shkaqet e ndërhyrjes, duke i cilësuar ato si “të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës”.