“Skifterët” shqiptarë nuk “fluturojnë” dot në Angli/ Dënohen 5 shqiptarë, grabitën dhjetëra shtëpi

8 November 2026, 19:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Skifterët” shqiptarë nuk “fluturojnë”

Pasi u bënë të famshëm për grabitjet e shtëpive në Greqi, Itali, Spanjë dhe Francë, ata që janë pagëzuar si skifterët shqiptarë, tashmë e kanë zhvendosur aktivitetin kriminal në Britaninë e Madhe.

Në javën që po lëmë pas, 5 shqiptarë janë dënuar në shtetin ishullor si të përfshirë në grabitje shtëpish. Sipas njoftimit të policisë së Kentit në jug të Anglisë, të cilit i referohet Top Channel, shqiptari Dionis Doku është dënuar me 3 vite dhe 10 muaj burg për një seri grabitjesh. Detektivët që hetuan nëntë grabitje shtëpish prej 45-vjeçarit nga Sanxhaku i Krujës arritën të identifikonin ADN-në e tij në një shishe me spraj antibakterial, të cilën ai e kishte përdorur për të pastruar vendin e ngjarjes.

Dionis Doku vodhi çanta të markave luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi gjysmë milioni paund nga 9 prona në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey.

Ndërsa ndodheshin në zonë për të mbledhur pamjet e disponueshme nga kamerat e sigurisë (CCTV), patrullat e policisë e vunë re Dokun në një stacion autobusi në Uxbridge Road dhe e arrestuan.

Ndërkohë, Policia Metropolitane e Londrës thotë se katër shqiptarë, të cilët shënjestronin banesat e aziatikëve me qëllim grabitjen, u kapën pas një hetimi disa mujor.

Çlirim Ferizi dhe Oresti Saliaj janë dënuar me një total prej pesë vitesh e gjashtë muajsh burgim. Ata u zbuluan nga pamjet e kamerave të sigurisë, ADN-ja e gjetur në shtëpitë e grabitura dhe qelizat telefonike.

Kartat Oyster që përdornin në metro ndihmuan policinë për të faktuar lëvizjet në zonat e shtëpive të grabitura.

Po ashtu, janë dënuar edhe bashkëpunëtorët e tyre. Ata janë Dionis Hetaj, 35 vjeç, bashkë me Arben Cukën, 31 vjeç. Të hënën, më 19 janar 2026, policia u njoftua për një vjedhje që po ndodhte në një banesë në Ealing.

Policët mbërritën brenda pak minutash dhe gjetën Dionis Hetajn mbi çatinë e banesës, duke tentuar t’i shmangej arrestimit.

Me mbështetjen e Njësisë së Qenve të Policisë Metropolitane, ai u kap shpejt dhe iu gjet në posedim një levë hekuri, si dhe sende të vjedhura nga banesa e viktimës.

Cuka u lokalizua dhe u arrestua më vonë, të mërkurën, më 4 mars. Të dy personat u dënuan me një total prej pesë vitesh burgim në Gjykatën e Kurorës në Isleworth./TCH


Video