Jamarbër Malltezi ka denoncuar ditën e sotme një problem që është hasur gjatë procesit të votimit në Durrës. Në një deklaratë për mediat, i shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashki dhe kandidati për bashkinë, Ardian Muka, Malltezi deklaroi se në shkollën ‘Naim Babameto’ ku ka 10 qendra votimi, nuk ka asnjë punonjës policie.
Ai u shpreh se kishte fotografuar një nga vëzhgueset që po fotografonte kartat e zgjedhësve brenda qendrës së votimit. Sipas tij, kjo solli përplasje brenda qendrës së votimit, duke bërë që më shumë se 20 militantë të PS-së, t’i merrnin telefonin dhe t’i fshinin videot.
“Në shkollën ‘Naim Babameto’, ku ka 8 QV nuk ka pasur fare prezencë policie, ndonëse e kërkon ligji. Kemi pasur prezencë të policëve bashkiakë pa uniformë që bënin intimidim të zgjedhësve. I kemi identifikuar, i kemi kërkuar të largohen, e kemi filmuar këtë gjë në mënyrë që të identifikonim paligjshmërinë. kanë ardhur 20-30 militantë të PS dhe kanë grabitur telefonin.
Nuk ka pasur dhunë ndaj meje, ka pasur fjalosje. Ma morën celularin dhe e fshinë. Nuk bëmë denoncim se nuk kishte policë fare, ndoshta më vonë. Policia mund të rrinte jashtë dhe të siguronte që brenda të mos kishte aktivistë. ma kthyen telefonin, por kishin fshirë videon”, tha Malltezi.